top of page
Search

Si i trajton Gjykata Evropiane per te Drejtat e Njeriut rastet e zvarritjes se procedurave gjyqesore

I. Zgjidhja e tejzgjatjes sё procedurave gjyqёsore ne GJEDNJ


Kohëzgjatja e procedurave gjyqёsore ёshtё njё standart qё duhet respektuar nё kuadrin e parashikimeve tё nenit 6 § 1 tё Konventës


« 1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet (...) në një afat të arsyeshëm, nga një gjykatë (...) që do të vendosë (...) për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, (...). »


Duke kërkuar respektimin e « afatit të arsyeshëm », Konventa nënvizon rëndësinë se drejtësia nuk duhet dhënë me vonesa që cenojnë efikasitetin dhe besueshmërinë (H. c. France, § 58 ; Katte Klitsche de la Grange c. Italie, § 61). Neni 6 § 1 i detyron Shtetet kontraktuese të organizojnë gjykatat në mënyrë që t’i përgjigjen kërkesave të kësaj dispozite. Gjykata ka konfirmuar vazhdimisht se është e rëndësishme që drejtësia të administrohet pa vonesa që do ta cenonin efkisatetin dhe besueshmërinë e saj (Scordino c. Italie (n° 1) [GC], § 224). Mangësitë e Shteti në këtë drejtim përbëjnë një praktikë të papajtueshme me Konventën (Bottazzi c. Italie [GC], § 22).


(1) Përcaktimi i kohëzgjatjes së procedurës

Kur flasim për pikënisjen e afatit, bëhet fjalë në parim për datën e paraqitjes së çështjes në gjykatën kompetente (Poiss c. Autriche, § 50 ; Bock c. Allemagne, § 35), me përjashtim kur paraqitja para një autoriteti administrativ përbën një kusht paraprak për paraqitjen në gjykatë, rast në të cilin afati mund të përfshijë edhe kohëzgjatjen e procedurës administrative paraprake të detyrueshme (König c. Allemagne, § 98 ; X c. France, § 31 ; Kress c. France [GC], § 90). Kështu, në disa raste, afati i arsyeshëm mund të fillojë edhe para depozitimit të aktit që nis procedurën para një « gjykate » të cilës kërkuesi i drejtohet për të zgjidhur « mosmarrëveshjen » (Golder c.Royaume- Uni, § 32 in fine ; Erkner et Hofauer c. Autriche, § 64 ; Vilho Eskelinen et autres c. Finlande [GC], § 65). Kjo është gjithsesi e veçantë dhe pranohet, për shembull, në raste ku disa etapa paraprake kërkohen si parakusht për hapjen e procesit si të tillë (Blake c. Royaume- Uni, § 40). 272.


P.sh. ndodh qё neni 6 § 1 mund të zbatohet gjithashtu në rastin e procedurës jo plotësisht gjyqësore, por sidoqoftë të lidhur ngushtë me kontrollin nga një organ gjyqësor. Ky është rasti, për shembull, kur bëhet fjalë për një procedurë ndarjeje të trashëgimisë që zhvillohet me marrëveshje para dy noterësh, procedurë sidoqoftë e urdhëruar nga një gjykatë dhe e njohur prej saj (Siegel c. France, §§ 33-38). Atëherë, kohëzgjatja e procedurës para noterit përfshihet në afatin e arsyeshëm. Sa i përket termit « afat », ky në parim mbulon të gjithë procesin, duke përfshirë këtu organet e rekursit (König c. Allemagne, § 98 in fine). Ai shtrihet deri në vendimin që e ka zgjidhur përfundimisht « mosmarrëveshjen» (Poiss c. Autriche, § 50).

Kështu, kërkesa për respektimin e afatit të arsyeshëm shtrihet në të gjitha fazat e procedurës gjyqësore që synon zgjidhjen e mosmarrëveshjes, pa përjashtuar fazat që pasojnë vendimet e themelit (Robins c.Royaume- Uni, §§ 28-29). Kështu, zbatimi i një vendimi, pavarësisht se i cilës gjykatë është, duhet të konsiderohet si pjesë përbërëse e afatit që duhet marrë parasysh (Martins Moreira c. Portugal, § 44 ; Silva Pontes c. Portugal, § 33 ; Di Pede c. Italie, § 24). Vetëm në çastin kur e drejta e kërkuar në proces gjen realizimin e saj të vërtetë, « afati » mbërrin në fund (Estima Jorge c. Portugal, §§ 36-38).


Procedura e ndjekur para Gjykatës kushtetuese merret parasysh nëse, edhe pse nuk i takon të vendosë mbi themelin, vendimi i saj mund të ndikojë në zgjidhjen e çështjes para gjykatave të zakonshme (Deumeland c. Allemagne, § 77 ; Pammel c. Allemagne, §§ 51-57 ; Süßmann c. Allemagne [GC], § 39). Sidoqoftë, detyrimi për afatin e arsyeshëm nuk interpretohet në të njëjtën mënyrë si për një gjykatë të zakonshme (ibidem, § 56 ; Oršuš et autres c. Croatie [GC], § 109). Së fundi, kur bëhet fjalë për ndërhyrjen e të tretëve në proceset civile, duhet bërë dallimi si më poshtë : kur një kërkues ndërhyn në procedurën vendase vetëm në emrin e tij, periudha që duhet marrë në konsideratë fillon të llogaritet nga kjo datë, ndërsa, kur kërkuesi është palë në proces si trashëgimtar, ai mund të ankohet për të gjithë kohëgjatjen e procedurës (Scordino c. Italie (n° 1) [GC], § 220).


(2) Vlerësimi i afatit të arsyeshëm

a. Parimet


Një vlerësim in concreto: karakteri i arsyeshëm i kohëzgjatjes së një procesi që lidhet me nenin 6 § 1 duhet të vlerësohet në çdo rast sipas rrethanave të çështjes (Frydlender c. France [GC], § 43), të cilat mund të kushtëzojnë një evoluim global (Obermeier c. Autriche, § 72 ; Comingersoll S.A. c. Portugal [GC], § 23). Duhet të merret parasysh e gjithë procedura (König c. Allemagne, § 98 in fine) :

  • § Nëse vonesa të ndryshme, në vetvete, nuk mund të jenë të dënueshme, kur grumbullohen dhe kombinohen, mund të shkaktojnë një tejkalim të afatit të arsyeshëm (Deumeland c. Allemagne, § 90).

  • § Një vonesë gjatë një faze të dhënë të procedurës mund të tolerohet, me kusht që e gjithë kohëzgjatja e procedurës të mos jetë shumë e gjatë (Pretto et autres c. Italie, § 37).

  • § Nuk pranohen « periudha të gjata stagnacioni » pa shpjegim (Beaumartin c. France, § 33).

  • § Zbatueshmëria e nenit 6 § 1 në procedurat paraprake varet nga respektimi i disa kushteve (Micallef c. Malte [GC], §§ 83-86)15. 280. Nuk merret parasysh procedura e transferimit për gjykim paraprak në një Gjykatë të drejtësisë së Bashkësive evropiane /së Bashkimit Evropian (Pafitis et autres c. Grèce, § 95).

b. Kriteret


Karakteri i arsyeshëm i kohëzgjatjes së një procedure vlerësohet me ndihmën e kritereve të nxjera nga jurisprudenca e Gjykatës të cilat janë si më poshtë : (1) kompleksiteti i çështjes, (2) qëndrimi i kërkuesit, ai i autoriteteve, dhe (3) rëndësia e çështjes për të interesuarin (Comingersoll S.A. c. Portugal [GC] ; Frydlender c. France [GC], § 43 ; Sürmeli c. Allemagne [GC], § 128).


1. Kompleksiteti i çështjes


Kompleksiteti i një çështjeje mund të varet si nga faktet ashtu edhe nga e drejta (Katte Klitsche de la Grange c. Italie, § 55 ; Papachelas c. Grèce [GC], § 39). Për shembull, ajo mund të varet nga shumësia e palëve të përfshira në çështje (H. c. Royaume- Uni, § 72) ose nga elemente të ndryshme që duhen mbledhur (Humen c. Pologne [GC], § 63). 283. Kompleksiteti i procedurës kombëtare mund të shpjegojë zgjatjen e saj (Tierce c. Saint-Marin, § 31).


2. Qëndrimi i ndërgjyqësit


Neni 6 § 1 nuk kërkon nga të interesuarit një bashkëpunim aktiv me autoritetet gjyqësore. Ata nuk mund të qortohen nëse përfitojnë plotësisht nga rrugët e rekursit që ua hap e drejta e brendshme (Erkner et Hofauer c. Autriche, § 68). I interesuari duhet vetëm të kryejë me kujdes veprimet që kanë të bëjnë me të, të mos përdorë taktika që vonojnë procesin dhe të shfrytëzojë mundësitë që jep e drejta e brendshme për të shkurtuar procesin (Unión Alimentaria Sanders S.A. c. Espagne, § 35). Qëndrimi i kërkuesve përbën një fakt objektiv i cili nuk mund t’i ngarkohet shtetit të paditur, fakt që duhet marrë parasysh për t’iu përgjigjur pyetjes nëse procesi e ka tejkaluar ose jo afatin e arsyeshëm sipas nenit 6 § 1 (Poiss c. Autriche, § 57 ; Wesinger c. Autriche, § 57 ; Humen c. Pologne [GC], § 66). Vetëm qëndrimi i kërkuesit mund të mos shpjegojë periudhat e mosveprimit. Shembuj që kanë të bëjnë me qëndrimin e ndërgjyqësit :

  • § mungesa e zellit nga ana e palëve për të depozituar përfundimet e tyre mund të kontriboujë në zgjatjen e procesit (Vernillo c. France, § 34) ;

  • § ndryshime të shpeshta / të përsëritura të avokatëve (König c. Allemagne, § 103) ;

  • § kërkesa ose mangësi që kanë ndikim mbi zhvillimin e procesit (Acquaviva c. France, § 61) ;

  • § një përpjekje për ta zgjidhur çështjen me marrëveshje (Pizzetti c. Italie, § 18 ; Laino c. Italie [GC], § 22)

  • § paraqitja e gabuar e një çështjeje në një gjykatë jokompetente (Beaumartin c. France, § 33).

Edhe pse autoritetet kombëtare nuk mund të mbajnë përgjegjësi për qëndrimin e të paditurit, metodat për të vonuar procesin të përdorura nga njëra palë, nuk i çlirojnë autoritetet nga përgjegjësia për të siguruar zhvillimin e procesit në një afat të arsyeshëm (Mincheva c. Bulgarie, § 68).

3. Qëndrimi i autoriteteve kompetente

Vetëm zvarritjet që i ngarkohen Shtetit mund të çojnë në përfundimin se ka pasur një moszbatim të « afatit të arsyeshëm » (Buchholz c. Allemagne, § 49 ; Papageorgiou c. Grèce, § 40 ; Humen c. Pologne [GC], § 66). Shteti është përgjegjës për tërësinë e shërbimeve : për autoritetet gjyqësore, por edhe për çdo institucion publik (Martins Moreira c. Portugal, § 60). Edhe në sistemet juridike që konfirmojnë parimin e ndjekjes së procesit nga palët, qëndrimi i tyre nuk i çliron gjykatësit nga detyrimi për të siguruar procedura të shpejta të parashikuara sipas nenit 6 § 1 (Pafitis et autres c. Grèce, § 93 ; Tierce c. Saint-Marin, § 31 ; Sürmeli c. Allemagne [GC], § 129). Është e njëjta gjë kur bashkëpunimi i një eksperti është i domosdoshëm gjatë procedurës : është detyrë e gjyqtarit të sigurojë përgatitjen dhe zhvillimin e shpejtë të procesit (Capuano c. Italie, §§ 30-31 ; Versini c. France, § 29 ; Sürmeli c. Allemagne [GC], § 129).


Është detyrë e shteteve kontraktuese të organizojnë sistemin e tyre gjyqësor në mënyrë që gjykatat të mund t’i garantojnë gjithkujt të drejtën për të marrë një vendim përfundimtar për mosmarëveshjet që lidhen me të drejtat dhe detyrimet me natyrë civile në një afat të arsyeshëm (ibidem ; Scordino c. Italie (n° 1) [GC], § 183). Nëse ky detyrim vlen gjithashtu për një Gjykatë kushtetuese, ai nuk mund të interpretohet gjithsesi në të njëjtën mënyrë si për një gjykatë të zakonshme. Roli si garant i Kushtetutës që luan Gjykata kushtetuese e detyron atë, ndonjëherë, të marrë parasysh konsiderata të ndryshme nga rendi i thjeshtë kronologjik i regjistrimit të çështjes në regjistër, si natyra e çështjes dhe rëndësia e saj në planin politik dhe social (krahaso Süßmann c. Allemagne [GC], §§ 56-58 ; Voggenreiter c. Allemagne, §§ 51-52 ; Oršuš et autres c. Croatie [GC], § 109).


Nga ana tjetër, edhe pse neni 6 kërkon që procedurat gjyqësore të jenë të shpejta, ai vë theksin mbi parimin, më të përgjithshëm, të administrimit të mirë të drejtësisë (Von Maltzan et autres c. Allemagne (déc.) [GC], § 132). Sidoqoftë, një mbingarkesë kronike nuk do të mund të justifikonte një periudhë të tejzgjatur të procesit (Probstmeier c. Allemagne, § 64). Në fakt, përderisa Shtetet anëtare duhet të organizojnë sistemin e tyre gjyqësor në mënyrë të tillë që të garantojë të drejtën për një vendim gjyqësor në një afat të arsyeshëm, mbingarkesa e punës nuk mund të merret parasysh (Vocaturo c. Italie, § 17 ; Cappello c. Italie, § 17).


Sidoqoftë, bllokimi i përkohshëm i çështjeve nuk e bën përgjegjës Shtetin nëse ai merr, me gatishmërinë e duhur, masa për të përmirësuar një situatë të tillë të jashtëzakonshme (Buchholz c. Allemagne, § 51). Ndërmjet mjeteve të përkohshme që mund të merren figuron edhe zbatimi i një farë rendi në trajtimin e çështjeve, i bazuar jo thjesht në datën e tyre të nisjes së procedurës, por në shkallën e rëndësisë dhe të ngutshmërisë dhe në mënyrë të veçantë në rëndësinë që ka për të interesuarit. Megjithatë, nëse kjo situatë zgjat dhe merr një karakter strukturor, mjete të tilla nuk mjaftojnë më dhe Shteti duhet të sigurojë miratimin e masave efikase (Zimmermann et Steiner c. Suisse, § 29 ; Guincho c. Portugal, § 40). Kështu, fakti që situatat e mbingarkesës janë bërë të zakonshme nuk mund të justifikojë tejzgjatjen e një procesi (Unión Alimentaria Sanders S.A. c. Espagne, § 40).


Nga ana tjetër, nisja e një reforme që synon përshpejtimin e shqyrtimit të çështjeve nuk do të mund të justifikonte vonesat sepse i takon shtetit të organizojë hyrjen në fuqi të kësaj reforme dhe zbatimin e saj në mënyrë që të mos zgjasë shqyrtimi i çështjeve ende të pazgjidhura (Fisanotti c. Italie, § 22). Në këtë drejtim, natyra adekuate e rekurseve të brendshme të ndërmarra nga një Shtet anëtar me qëllim që të parandalojë ose të përmirësojë kohëzgjatjen e proceseve vlerësohet në dritën e parimeve të vendosura nga Gjykata (Scordino c. Italie (n° 1) [GC], §§ 178 et s. et 223).


Përgjegjësia e shtetit për mungesën e afatit të arsyeshëm është pranuar në rastin e një aktiviteti gjyqësor shumë intensiv, të përqëndruar në gjendjen mendore të kërkuesit, mbi të cilën gjyqtarët e brendshëm kishin dyshime pavarësisht pesë raporteve që vërtetonin kapacitetin e tij dhe në rastin e rrëzimit të dy procedurave të kërkesës për vënien në kujdestari, proces që nga ana tjetër kishte zgjatur më shumë se nëntë muaj (Bock c. Allemagne, § 47). Vetëm një grevë e avokatëve nuk do të mund të ngarkonte me përgjegjësi Shtetin për sa i përket kërkesës për një afat të arsyeshëm. Sidoqoftë, përpjekjet e bëra nga autoritetet për të shmangur çdo vonesë që do të ishte shkaktuar prej saj, duhen marrë parasysh në kontekstin e kontrollit të respektimit të kërkesës për afat të arsyeshëm (Papageorgiou c. Grèce, § 47). Nëse ndryshimet e përsëritura të gjyqtarëve ngadalësojnë ecurinë e procesit, sepse secili prej tyre duhet të fillojë të njihet me çështjen, kjo nuk e çliron Shtetin nga detyrimet lidhur me afatin e arsyeshëm, sepse i takon atij të sigurojë organizimin e mirë të administrimit të drejtësisë (Lechner et Hess c. Autriche, § 58).


4. Interesi i çështjes


Shembuj kategorish që nga natyra e tyre kërkojnë një procedurë veçanërisht të shpejtë:

  • § Procedurat lidhur me gjendjen dhe kapacitetin e personave kërkojnë një kujdes të veçantë (Bock c. Allemagne, § 49 ; Laino c. Italie [GC], § 18 ; Mikulić c. Croatie, § 44).

  • § Procedurat lidhur me kujdestarinë e fëmijëve duhet të trajtohen me shpejtësi (Hokkanen c. Finlande, § 72 ; Niederböster c. Allemagne, § 39), sidomos çështjet në të cilat kalimi i kohës mund të ketë pasoja të pariparueshme në marrëdhëniet midis prindit dhe fëmijës (Tsikakis c. Allemagne, §§ 64 et 68) – po kështu, çështjet që lidhen me autoritetin prindëror dhe të drejtën për vizitë duhen trajtuar me një shpejtësi të veçantë (Paulsen-Medalen et Svensson c. Suède, § 39 ; Laino c. Italie [GC], § 22).

  • § Procedurat në fushën e mosmarrëveshjeve të punës kërkojnë për nga vetë natyra e tyre një vendim të shpejtë (Vocaturo c. Italie, § 17) – qoftë kur bëhet fjalë për akses në një profesion liberal (Thlimmenos c. Grèce [GC], §§ 60 et 62), për vetë jetën profesionale të kërkuesit (König c. Allemagne, § 111), vazhdimësinë e aktivitetit të tij profesional (Garcia c. France, § 14), pushimin nga puna që ai e konteston (Buchholz c. Allemagne, § 52 ; Frydlender c. France [GC], § 45), pezullimin e tij (Obermeier c. Autriche, § 72), ndryshimin (Sartory c. France, § 34) rimarrjen në punë (Ruotolo c. Italie, § 17) ; apo kur ka një interes të madh financiar (Doustaly c. France, § 48). Kjo përmbledh edhe çështjet e pensioneve (Borgese c. Italie, § 18).

  • § Një kujdes i veçantë kërkohet nga autoritet kundrejt një ndërgjyqësi të prekur « nga një sëmundje e pashërueshme » dhe për të cilin « jetëgjatësia është e reduktuar » (X c. France, § 47; A. et autres c. Danemark, §§ 78-81).

  • § Një kujdes i veçantë u imponohet autoriteteve gjyqësore kompetente kur bëhet fjalë për hetimin e një ankese të depozituar nga një individ për shkak të dhunës së pretenduar të ushtruar nga ana e punonjësve të rendit (Caloc c. France, § 120).

  • § Kur burimet kryesore financiare të kërkuesit përbëhen nga pensioni i invaliditetit, çështjet që synonin përmirësimin e tij duke marrë parasysh rëndimin e gjendjes së tij shëndetësore, kishte për të një interes të veçantë, i cili e justifikonte një kujdes të veçantë nga ana e autoriteteve kombëtare (Mocié c. France, § 22).

  • § Rasti i një padie në fushën civile për dëm ndaj integritetit fizik të kërkueses 65 vjeçare, në kohën kur kërkoi dëmshpërblimin si palë e dëmtuar, interesi i çështjes kërkonte një vëmendje të veçantë nga ana e autoriteteve të brendshme (Codarcea c. Roumanie, § 89).

  • § Interesi për kërkuesin mund të konsistojë edhe në të drejtën për arsim (OrÅ¡uÅ¡ et autres c. Croatie [GC], § 109).


321 views0 comments
bottom of page