top of page
Search

Nuk ju është ekzekutuar një vendim gjyqësor i formës së prerë? - Ju mund të ankoheni në gjykatë

Ekzekutimi i një vendimi gjyqësor të formës së prerë është një garanci kushtetuese që gëzon çdo shtetas shqiptar sipas Kushtetutës (nenet 42, 44, 15/2). Gjykatat vendase detyrohen të garantojnë ekzekutimin e vendimit gjyqësor derisa të zbatohet efektivisht në praktikë pasi procesi i ekzekutimit duhet vlerësuar si pjesë integrale e të drejtës për proces të rregullt ligjor. Kjo do të thotë se gjykatat nuk mjaftohen vetëm me shpalljen e një vendimi gjyqësor por ato duhet të mbikqyrin ekzkutimin e tij deri në zbatimin efektiv të tij në praktikë.


Deri ne vitin 2017, para ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile, sistemi juridik shqiptar nuk garantonte mjetet e duhura juridike për të adresuar zvarritjet në ekzkekutimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Për këtë arsye, shumë individë kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë ende viktima të kësaj shkelje.


Çështja e parë me objekt mos ekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë në Gjykatën Evropiane për të drejtat e Njeriut (GJEDNJ) “Qufaj k. Shqipërisë” ka rëndësi pasi ndikoi në modifikimin e praktikës së Gjykatës Kushtetuese për pranimin e kërkesave me këtë objekt. Aplikanti “Qufaj k. Shqipërisë” ishte një kompani tregtare “Qufaj Co.” sh.p.k. që u ankua për cënim të së drejtës për proces të rregullt ligjor sipas nenit 6 të Konventës, pasi autoritetet shtetërore shqiptare nuk kishin përmbushur ekzekutimin e një detyrimi sipas një vendimi gjyqësor përfundimtar.


Më konkretisht, Kompania “Qufaj Co.” sh.p.k pretendonte se Bashkia e Tiranës i kishte refuzuar kërkesën për leje ndërtimi në një zonë rezidenciale, për të cilën kompania kishte leje planifikimi për ndërtimin e pesëqind apartamenteve mbi 15,788 metra katrorë tokë. Në fund të procedurave gjyqësore, gjykata e apelit i konfirmoi kompanisë të drejtën e kompensimit në një vlerë të caktuar për dëmin ekonomik që i ishte shkaktuar nga refuzimi i lejes së ndërtimit (vendimi nr. 1197, datë 23 shkurt 1996). Menjëherë pasi ky vendim mori formë të prerë, ankuesi Qufaj sh.p.k i kërkoi Bashkisë Tiranë, nëpërmjet zyrës përmbarimore, shlyerjen e detyrimit sipas vendimit të gjykatës. Bashkia nuk e ekzekutoi shlyerjen e detyrimit duke u justifikuar për shkak të mungesës së fondeve.


Ankuesi në pamundësi për të zbatuar vendimin e gjykatës iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të deklaruar shkeljen e procesit të rregullt ligjor dhe për të detyruar Bashkinë të ekzekutonte vendimin. Gjykata Kushtetuese e refuzoi kërkesën e ankuesit duke arsyetuar se ekzekutimi i vendimit të formës së prerë ishte objekt i shqyrtimit nga gjykatat e faktit, dhe nuk bënte pjese në juridiksionin e saj.


Ankuesi iu drejtua GJEDNJ-së e cila vendosi se në këtë rast ka pasur shkelje të së drejtës për proçes të rregullt ligjor pasi autoritetet shtetërore kishin dështuar për zbatimin efektiv të një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Gjithashtu, GJEDNJ arsyetoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte i drejtë pasi procedura e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore duhet parë si pjesë e procesit të rregullt ligjor, për rrjedhojë Gjykata Kushtetuese duhej të merrte në shqyrtim kërkesën e ankuesit sipas nenit 42 dhe 131/f të Kushtetutës. Në përfundim Shteti shqiptar u penalizua për këtë shkelje në shumën 72,000 euro për shpërblimin e drejtë për dëmin moral dhe pasuror që i ishte shkaktuar kompanisë Qufaj sh.p.k, si dhe në vlerën 60 milion lekë të detyrimit të njohur sipas vendimit të gjykatës shqiptare.


Rasti “Qufaj k. Shqipërisë” i gjykuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka rëndësi për disa arsye:

  • Shërben si preçedent për trajtimin e rasteve të ngjashme para GJEDNJ-së

  • Gjykata Kushtetuese menjëherë pas këtij vendimi modifikoi praktikën e saj për pranimin e kërkesave për mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë si cënim i të drejtës për proçes të rregullt ligjor

  • GJEDNJ nuk kërkon respektimin e afatit 6 mujor për pranimin e kërkesave me objekt mos-ekzekutimin e vendimit përfundimtar nga data e vendimit më të fundit të dhënë nga gjykatat vendase (neni 35 i Konventës), pasi sipas GJEDNJ zvarritja e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor që ka marrë formë të prerë me efekt res judicata vlerësohet se e cënon të drejtën në vazhdimësi.

  • Në këtë rast ankuesi ishte një kompani tregtare, pra një person juridik, fakt që merr rëndësi se kush legjitimohet të paraqesë ankimin para kësaj Gjykate në emër të kompanisë. Kështu GJEDNJ njeh vetëm të drejtën e pronarit për efekt të të drejtave që i lindin kompanisë në bazë të statusit të saj juridik. Në raste të tilla, nuk mund të pretendojë një person i cili është i punësuar në këtë kompani, apo qoftë dhe një aksioner i kësaj kompanie sa kohë që në të gjitha procedurat gjyqësore palë është kompania.

Mbas rastit Qufaj ka pasur shumë ankime të tjera me objekt të ngjashëm në GJEDNJ me palë përgjegjëse shtetin shqiptar. Kështu sipas statistikave të Gjykatës për periudhën 1959-2018 nga 79 vendimet në total të dhëna kundër Shqipërisë rezulton se 24 vendime kanë pasur në objekt mosekzekutimin e një vendimi të formës së prerë, 35 vendime kanë pasur si objekt procedura gjyqësore të padrejta, 31 vendime kanë pasur objekt cënimin e të drejtës së pronës, 7 vendime kanë pasur objekt cënimin e kohëzgjatjes së arsyeshme të procedurave ligjore etj.


Çfarë ka ndryshuar në sistemin juridik shqiptar për trajtimin e mos ekzekutimit të një vendimi gjyqësor përfundimtar


Me ndryshimet e Kodit të Procedurës Civile (me Ligjin Nr.38, Dt.30.03.2017) në nenin 399/1-11 janë parashikuar mjetet e reja juridike për adresimin e zvarritjeve për ekzekutimin e nje vendimi gjyqësor res judicata. Kështu në ndryshimet e ligjit parashikohet standarti i kohëzgjatjes së arsyeshme për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, gjykata kompetente për shqyrtimin e shkeljes (neni 399/2), afati i procedurave për shqyrtimin e shkeljes (399/7), si dhe kriteret për masën e kompensimit në rast se gjykata vendos se ka pasur shkelje (399/10).


Ligji i ri Nr.76, dt 2016 “Për organizimin dhe funkisonimin e Gjykatës Kushtetuese” njeh juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës për cënim të procesit të rregullt ligjor si nga pikëpamja e proçedurës ashtu dhe përsa i përket themelit së çështjes. Në këtë mënyrë, çdo pretendim për mosekzekutimin e një vendimi gjyqësor res judicata duhet të ezaurojë dhe shqyrtimin e kërkesës para Gjykatës Kushtetuese. Kjo është e rendësishme në përmbushje të kriterit të pranueshmërisë (neni 35 i Konventës) që kërkon ezaurimin e mjeteve juridike vendase përpara se të aplikoni në GjEDNJ.

 
 
 

Comments


bottom of page