top of page
Search

Kur dhe për çfarë mund të ankohesh në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ)

Updated: May 31, 2019

Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore u hartua në Këshillin e Evropës (nënshkruar më 4 nëntor 1950 dhe hyrë në fuqi në shtator 1953). Përveç parashtrimit të një katalogu të të drejtave civile dhe politike si dhe lirive, Konventa krijon një mekanizëm për vënien në zbatim të detyrimeve të ndërmarra nga Shtetet Kontraktuese. Kjo përgjegjësi iu besua Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (të krijuar në 1959) dhe Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.


Gjykata Evropiane e te Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg është një mekanizëm mbikqyrës që vlerëson nëpërmjet ankimeve individuale se sa zbatohet Konventa Evropiane e te Drejtave te Njeriut nga vendet e saj anëtare. Menjeherë pasi Shqipëria u bë palë në këtë Konventë (nënshkruar me 13 korrik 1995, ratifikuar më 2 tetor 1996), shtetasit shqiptare gëzojnë të drejtën per tu ankuar në këtë Gjykatë nëse i mohohet një e drejtë si më poshtë:

​

· E drejta për jetën (neni 2)

· E drejta për ndalimin e torturës (neni 3)

· E drejta kundër skllavërisë dhe punës së detyruar (neni 4)

· Liria dhe siguria (neni 5)

· E drejta për proces të rregullt ligjor (neni 6)

· E drejta e dënimit vetëm me ligj (neni 7)

· E drejta për jetë private dhe familjare (neni 8)

· E drejta e mendimit, ndërgjegjes dhe e fesë (neni 9)

· Liria e shprehjes (neni 10)

· Liria e tubimit dhe organizimit (neni 11)

· E drejta për tu martuar (neni 12)

· E drejta për mjete efektive (neni 13)

· E drejta kundër diskriminimit (neni 14)

· E drejta e pronës (neni 1 Prot 1)

· E drejta për edukim (neni 2 Prot 1)

· E drejta për zgjedhje të lira (neni 3 Prot 1)


Kushtet kur një çështje është e pranueshme për të vënë në lëvizje Gjykatën


Njohja e mirë dhe ndërgjegjësimi ndaj të drejtave dhe lirive themelore i ndihmon individët të kuptojnë situatat në të cilat ato janë viktimë e një shkelje të caktuar. Gjykata vihet në lëvizje vetëm për shqyrtimin e aplikimeve të cilat plotësojnë disa kushte sipas nenit 33, 34 dhe 35 të Konventës siç janë:

i

  • Ankuesi duhet të jetë person fizik, person juridik, organizatë jo fitim prurëse apo grup individësh

  • Ankuesit duhet të vërtetojnë se janë viktimë (direkte apo indirekte) e shkeljes së një të drejte të parashikuar nga Konventa.

  • Ankuesi duhet te kete ezauruar të gjitha mjetet e brëndshme të ankimit në gjykatat vendase

  • Aplikimi duhet të paraqitet para Gjykatës brenda afatit 6 mujor nga data e vendimit përfundimtar të dhënë nga një gjykatë apo mekanizem kuazi gjyqesor vendas

  • Ankuesi nuk duhet të ketë vënë në lëvizje për të njëjtën çështje një gjykatë tjetër ndërkombëtare

  • Shkelja kundër së cilës ankohet duhet të ketë ndodhur brenda juridiksionit territorial të Shtetit Anëtar në fjalë ose një territori që kontrollohet efektivisht prej tij (ratione loci, Neni 35/3 i Konventës).

  • Shkelja objekt i ankimit ka ndodhur pasi shteti përgjegjës është bërë palë në Konventë

Si rregull Gjykata refuzon të pranojë shqyrtimin e një rasti në rast se nuk përmbushen disa kërkesa thelbësore. Ky vlerësim bëhet në fazën e shqyrtimit paraprak të seleksionimit të çështjeve për gjykim nga një Komitet me tre gjyqtarë të Gjykatës. Kështu përjashtohen në mënyrë të parevokueshme nga lista e gjykimit ato raste kur vërehet se:


  • Ankuesi pretendon një shkelje që nuk lidhet me ndonjërën nga të drejtat e parashikuara në Konventë apo Protokollet e saj

  • Kur aplikimi i drejtuar Gjykatës eshte anonim, dhe përdoret gjuhë abuzuese siç mund të jetë fyerja

  • Aplikimi nuk i është drejtuar shtetit përgjegjës por një individi

  • Aplikimi është i njëjtë në thelb me një ankim të mëparshëm të shqyrtuar nga Gjykata


Gjykata gjatë shqyrtimit të një çështje zbulon se ekzistojnë shkaqe që lidhen me deklarimin e papranueshëm të një ankimi nëse vlerëson se :


  • Pretendohet shkelja e një të drejte për të cilën shteti përgjegjës nuk ka ratifikuar Protokollin përkatës, ka deroguar nga ajo e drejtë, ka paraqitur rezervë në kohën e ratifikimit të Konventës, apo e ka kufizuar efektin e të drejtës sipas kritereve kushtetuese.

  • Nëse është pësuar një dëm i pakonsiderueshëm, nën nivelin minimal të rëndësisë që justifikon shqyrtimin e kërkesës nga një gjykatë ndërkombëtare.

  • Nëse shkelet detyrimi i konfidencialitetit në negociatat për zgjidhje miqësore apo jashtë gjyqësore të mosmarrëveshjeve

  • Pretendimet për shkeljen e një të drejte janë haptazi të pabazuara (Neni 35/3 i Konventës)



Statistika mbi natyrën e shkeljeve


Gjykata Europiane ka regjistruar gjatë viteve 1959- 2018 rreth 841, 300 aplikime nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës, nga të cilat 1352 janë kërkesa kundër Shqipërisë. Ankuesit që gëzojnë locus standi para Gjykatës Evropiane janë 800 milionë banorët e shteteve anëtare evropiane (apo shtetas të vendeve të treta që jetojnë aty apo janë në tranzit), por dhe miliona shoqata, fondacione, parti politike, kompani tregtare etj, deri tek ato persona të cilët janë viktima të veprimeve ekstra-terrioriale të ndonjërit prej vendeve anëtare të Konventës. Sipas statistikave te Gjykates për vitet 2016-2018 mund të shihet në grafikun më poshtë raporti i kërkesave të regjistruara me vendimet e dhëna nga Gjykata:




Sipas statistikave në vitin 2016 janë paraqitur 147 aplikime në total kundër Shqipërisë nga të cilat janë dhënë 22 vendime ndërkohë ka një rënie të kërkesave në vitin 2017 (95 te tilla) dhe 2018 (99). Ndër shkeljet më të shpeshta të gjetura në vendimet e GJEDNJ-së janë kryesisht ato që lidhen me procesin e rregullt ligjor (40%), liria dhe siguria e personit (neni 5), e drejta e jetës (neni 2) dhe parandalimi i tortures (15%). Ndërsa sipas vendimeve të dhëna për Shqipërinë rezulton se shkeljet më të shpeshta lidhen me të drejtën për proces të rregullt (66), të drejtën e pronës (31) dhe e drejta për mjete efektive të ankimit (31).

419 views0 comments
bottom of page